Storje

Njihuni me refugjatin sirian që ndërton jetën në Shkup derisa ëndërron për Damaskun

Përvoja jetësore e Luaj Arafe duket më ndryshe se fatet që i kemi dëgjuar për njerëzit që i braktisin shtëpitë e tyre për shkak luftës apo për çfarëdo arsye tjetër, por megjithatë vuajtja nuk është e pashmangshme edhe në tregimin e tij. Arafe në moshën tetëvjeçare ndeshet me tmerret e luftës, ndërsa në moshën 10-vjeçare e braktis atdheun thuajse pa asgjë.

Arafe sot është djalosh 18-vjeçar, i cili punon në një kafene në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Në një bisedë me ekipin e MEDIAL-s e rrëfeu tregimin e tij, sfidat me të cilat është ballafaquar dhe se si ka ndodhur të vijë dhe të jetojë pikërisht këtu në Shkup. Na tha se vjen nga kryeqyteti i Sirisë, Damasku, por edhe se krahas përjetimit të tij të hidhur ëndërron që një ditë të kthehet në atdheun e tij në Siri.

Dy vjet pasi filloi lufta qytetare në Siri, Luaj së bashku me vëllanë e tij, motrën dhe prindërit e tij në vitin 2013 largohen nga Siria. Familja Arafe largohet nga Siria pasi babai i Luaj gjashtë muaj i kishte kaluar në burg.

“Kjo ishte periudhë me të vërtetë stresuese për një djalosh tetëvjeçar dhe në përgjithësi për të gjithë në familje. Gjashtë muaj derisa babai im ishte në burg ne nuk patëm kurrfarë informacionesh për të, nuk e dinim nëse është gjallë. Kur e lëshuan nga burgu menjëherë e braktisëm Sirinë, pa asgjë dhe u nisëm drejt Egjiptit”, theksoi Arafe.

Nga Siria thuajse nuk kanë marrë asgjë me vet. Ai nuk e ka asnjë fotografi të fëmijërisë së tij. Familja Arafe vjen në Egjipt, ku qëndron katër muaj, ndërsa më pas zhvendosen në Dubai.

Kujtimet e tij për Sirinë janë mjaft drithëruese.

“Nga shtëpia jonë shihej i gjithë qyteti dhe i shikonim se si binin bombat. Të gjithë atë periudhë e mbaj në mend si periudhë të rëndë dhe stresuese”, theksoi Arafe.

Katër vjet pasi familja e Arafe largohet nga Siria, në vitin 2017 vijnë në Shkup. Ndihmën e kanë marrë nga xhaxhai i tij, i cili u kishte mundësuar qëndrim legal dhe vendbanim.

“Kur erdha këtu nuk e njihja askënd, nuk e flisja gjuhën maqedonase e as atë angleze dhe e kisha të vështirë të adaptohem me mënyrën e jetesës dhe kulturën. Atje kisha familjarë dhe shumë miq. Por, megjithatë Shkupi më kujton pak Damaskun, para së gjithash me rrugët dhe ndërtimet”, tha Luaj.

Tani ai studion stomatologjinë në njërin prej Universiteteve në Shkup dhe njëherësh i mëson edhe gjuhën angleze edhe atë maqedonase, ndërsa flet pak edhe shqip. Krahas studimeve, ai gjatë fundjavave punon në një kafene pasi dëshiron që kontribuojë për familjen.

Edhe krahas asaj që është i kënaqur nga jeta në Maqedoninë e Veriut, megjithatë akoma vuan për Sirinë.

“Me familjarët dhe miqtë nga Siria komunikoj dy herë në javë përmes rrjeteve sociale”, thotë Arafe për MEDIAL-n.

Ai tha se kur të përfundojë lufta në Siri dëshiron të kthehet në Damask.

“Dëshiroj të kthehem në Damask, më mungon Siria. Atje janë miqtë dhe familjarët e mi. Para tre vitesh isha për dy javë në Siri. I pashë të afërmit e mi dhe ishte ndjenjë me të vërtetë e bukur. Por, qyteti ka pësuar dëm të madh, pati shumë ushtri dhe polici. Për fat shtëpia jonë nuk ishte dëmtuar”, theksoi Arafe.

Ai shtoi se “ëndrra e tij është një ditë sërish të kthehet në atdheun e tij dhe të jetë i suksesshëm në profesionin e tij”.

Në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2019 (1 janar – 30 nëntor), sipas të dhënave të MPB-së, 447 persona prej të cilëve 50 sirianë, kanë kërkuar azil.