Lajme

Donte të hynte në Gjermani me pasaportën e vëllait: Arrestohet shqiptari

Policët federalë kanë ndaluar për kontrollim në pikën kufitare Schwarzbach në autostradën A8 një autobus me regjistrim kosovar. Gjatë kontrollimit të udhëtarëve, atyre u ra në sy një shtetas 28 vjeçar i Shqipërisë, i cili u tregoi një pasaportë në gjendje të rregullt, shkruan dpa.de, transmeton albinfo.ch.

Por me rastin e rishikimit të të dhënave në pasaportë, policët panë në kompjuter se për personin me këto të dhëna ishte në fuqi një ndalim hyrjeje në Gjermani. Për këtë arsye ata e kanë marrë të dyshuarin dhe e kanë çuar në Freilassing, për hetime të mëtejme.

Duke e shikuar pasaportën më hollësisht, policët erdhën në konstaimin se ajo nuk i takonte fare personit të kapur. Ai, për udhëtimin e tij në Gjermani, kishte përdorur pasaportën e vëllait, të cilit i ngjante së tepërmi.

Pastaj, përmes shenjave të gishtërinjve, hetuesit kanë arritur ta sqarojnë identitetin e vërtetë të shqiptarit, përcjell albinf.ch. Por edhe në të dhënat e tij origjinale figuronte një ndalesë hyrjeje në Gjermani, e cila i ishte shqiptuar për pesë vite.
Pasi konfiskoi dokumentin e keqpërdorur, policia i bëri kallëzim penal shqiptarit, për përdorim abuzues të dokumentit dhe për përpjekje të hyrjes ilegale në Gjermani. Me këtë rast atij iu ndalua hyrja dhe u la në dorëzim te autoritetet austriake.